Reklama Vetit ne Krye
Titujt
13 January 2014

Cilat shtete janë gjigantët e ardhshëm ekonomikë?

Meksika, Indonezia, Nigeria e Turqia janë të gjitha vende që po rriten me shpejtësi dhe brenda disa dekadash, mund të bëhen superfuqi ekonomike falë popullsisë së re dhe pozicionit strategjik tregtar

Vendet Mint

Afro një dekadë më parë bota filloi të flasë për vendet BRIK – Brazili, Rusia, India dhe Kina – si superfuqitë ekonomike të së ardhmes. Ky term u formulua nga ekonomisti Xhim Onill (Jim O’Neill), i cili tashmë beson se në dekadat e ardhshme vëmendja do të tërhiqet nga vendet “MINT” – Meksikë, Indonezi, Nigeri dhe Turqi. Këto, sipas tij, mund të bëhen gjigantët ekonomikë të rinj.

Por çfarë kanë vendet MINT kaq speciale? Pse pikërisht këto vende?

Faktori i parë është se këto vende janë me të vërtetë “të freskëta”, më të reja sesa BRIK. Kjo do të thotë se përveç faktit që kanë popullsi të madhe, ato për së paku 20 vitet e ardhshme do të kenë një fenomen demografik të njohur si jilldi demografik. Popullsia nën moshën e punës është aktualisht shumë e madhe, ndërsa lindshmëria po bie. Kjo do të thotë se përgjatë viteve të ardhshme, më shumë njerëz do të hyjnë në moshën e punës dhe numri i njerëzve në moshë pune do të jetë më i lartë në raport me popullsinë totale sesa më parë.

Ky fenomen përbën zilinë e shumë vendeve të zhvilluara, por edhe të dy vendeve të BRIK, Kinës dhe Rusisë. Pra, nëse shohim Meksikën, Indonezinë, Nigerinë dhe Turqinë, do të dallojmë se disa nga këto vende kanë pasur sakaq rritje ekonomike të fuqishme mes viteve 2003 dhe 2008.

Tri nga këto vende kanë edhe diçka tjetër të përbashkët. Ministri i Jashtëm i Meksikës, Jose Antonio Meade Kuribrena, e theksoi këtë: Pozicioni gjeografik i këtyre vendeve pritet të jetë avantazhues ndërsa modelet e tregtisë ndërkombëtare ndryshojnë.

Për shembull, Meksika është fqinje me SHBA-në, por edhe me Amerikën Latine. Indonezia është zemra e Azisë Juglindore, por ka edhe lidhje të thella me Kinën. Dhe siç e dimë të gjithë, Turqia gjendet njëkohësisht në Lindje dhe në Perëndim. Nigeria nuk është e ngjashme në këtë drejtim pjesërisht për shkak se Afrika është kontinent i pazhvilluar, por ky vend mund të bëhet gjithashtu pikë kyçe në rast se vendet afrikane ndalojnë luftën dhe zgjedhin tregtinë me njëri-tjetrin.

Kjo në fakt mund të jetë edhe baza për zhvillimin e klubit të vet politik nga këto vende, siç bënë më herët vendet BRIK. Por krijimi i këtij klubi mund të nxisë Nigerinë gjithashtu të kërkojë anëtarësim në grupin G-20, ku janë anëtare sakaq vendet e tjera.

Kjo qe diçka për të cilën ministrja karizmatike e Financave të Nigerisë, Ngozi Okonjo-Iueala qe shumë e interesuar të flasë: “Ne e dimë se do të vijë dita jonë”, thotë ajo. “Ne mendojmë se ata po humbin duke mos na pasur ne anëtarë”.

Meade Kuribrena shkoi deri aty sa tha se si grupim katër vendesh, MINT kanë më shumë gjëra të përbashkëta sesa BRIK. Nuk jam i sigurt për këtë, por është një ide interesante.

Ekonomikisht tri prej tyre, Meksika, Indonezia dhe Nigeria, janë vende prodhuese të lëndëve të para ndërsa Turqia, jo. Kjo është në kontrast me BRIK, dy prej të cilave, Brazili dhe Rusia, prodhonin minerale ndërsa dy të tjerat, Kina dhe India jo.

Në termat e pasurisë, Meksika dhe Turqia janë në të njëjtin nivel, duke fituar çdo vit rreth 10 mijë dollarë për frymë. Dy vendet e tjera janë më të varfra. Indonezia e ka PBB për frymë 3500 dollarë, ndërsa Nigeria, vetëm 1500 dollarë. Ato janë më poshtë sesa Rusia, 14 mijë dollarë dhe Brazili, 11300 dollarë, por sërish shumë përpara Kinës – 6 mijë dollarë.

Një pyetje e madhe që udhëhoqi vizitën time në këto vende për BBC qe – “Si ndihen këto vende në terren, në krahasim me pritshmëritë për veten?”

Kur pritshmëritë janë të ulëta – gjë që mund të thuhet në përgjithësi mbi Nigerinë, është më e lehtë të surprizohesh. Por e kundërta është gjithashtu e vërtetë dhe ky mund të jetë një problem për Meksikën, ku investitorët financiarë janë shumë të interesuar për të punuar.

Unë u ktheva nga këto udhëtime duke menduar se nuk do të jetë kaq e vështirë për Nigerinë dhe Turqinë të surprizojnë pozitivisht njerëzit, të cilët aktualisht i kushtojnë shumë rëndësi problemeve të mirënjohura të këtyre vendeve – krimit dhe korrupsionit në Nigeri për shembull, apo qeverisë autoritariste në Turqi.

Për Indonezinë nuk jam kaq i sigurt. Sfidat e këtij vendi janë shumë të mëdha dhe nuk dëgjova shumë gjëra pozitive. Vendi ka nevojë për një ndjenjë tregtie përtej lëndëve të para dhe duhet të përmirësojë infrastrukturën e vet.

Në Turqi, vizitat te prodhuesi Beko dhe te Turkish Airlines, kompania ajrore me rritjen më të shpejtë në botë, më bëjnë mua të ulëras “uau” ndërsa në Nigeri ke shumë gjëra për t’u habitur.

Krijueshmëria në këto dy vende është aq e gjithëpërhapur dhe aq habitëse. Së paku, unë u habita dhe u largova plot me mbresa të mira mbi investime të ndryshme private.

Në Meksikë, unë u zhgënjeva ndërsa pritshmëritë janë kaq të larta dhe ku Presidenti i ri dhe kolegët e tij janë plot vendosmëri për ta ndryshuar vendin.

Nëse ju mendoni se Theçer (Thatcher) qe një reformatore serioze, këto djem të Meksikës e bëjnë atë të duket si kotele. Ata po reformojnë gjithçka nga arsimi tek energjia dhe politika fiskale, si dhe vetë institucionin e qeverisë.

Cilat janë sfidat që zakonisht i trembin njerëzit? Korrupsioni është tema kryesore në të katërta vendet dhe unë pata biseda shumë interesante në të gjitha këto vende.

Në Nigeri, guvernatori i Bankës Qendrore, Lamido Sanusi, argumentoi se korrupsioni shumë rrallë parandalon zhvillimin ekonomik dhe se rritja e ekonomisë, shoqëruar me përmirësime në arsim, do të sjellë qeverisje më të mirë dhe transparencë më të madhe.

Këto janë këndvështrime të rëndësishme për t’u dëgjuar së paku si një alternativë ndaj mënyrës së thjeshtëzuar të të menduarit në Perëndim. Për shumë njerëz të besueshëm në vendet MINT, korrupsioni është një pasojë e dobësive të tyre në të shkuarën, jo një shkak për një të ardhme të keqe dhe sigurisht nuk përbën sfidën kryesore. Korrupsioni gjendet në një listë me çështje të tjera serioze si kostoja e energjisë, disponueshmëria e saj dhe natyrisht, infrastrukturën.

Në Meksikë e Nigeri politika energjetike është prioriteti kryesor. Ato kanë nisur iniciativa madhore këtë vit, të cilat, nëse zbatohen, do të nxisin rritjen ekonomike në mënyrë thelbësore.

Ja ku kemi një statistikë marramendëse. Rreth 170 milionë banorë në Nigeri konsumojnë të njëjtën sasi energjie që përdoret nga vetëm 1.5 milionë njerëz në Britaninë e Madhe. Pothuajse çdo biznes duhet të gjenerojë energjinë e vet elektrike. Kostot janë të stërmëdha.

“A mund ta imagjinoni, a mund ta besoni se ku vend është rritur me 7 për qind në vit pa energji elektrike, me zero energji elektrike? Kjo është me të vërtetë një shaka”, thotë njeriu më i pasur i Afrikës, Aliko Dangote.

Ai ka të drejtë. Unë mendoj se Nigeria mund të rritet me 10-12 për qind në vit nëse e zgjidh këtë problem. Kjo mund ta dyfishojë ekonominë e saj në gjashtë apo shtatë vjet.

Në Indonezi, vendi i katërt më i madh në botë, unë mund të them se udhëheqësia dhe infrastruktura janë sfidat më të mëdha, megjithëse ka edhe shumë sfida të tjera. Por sfidat dhe mundësitë ekzistojnë krah më krah.

Në një nga lagjet me baraka të Xhakartës, Pluit, toka po zhytet me 20 centimetra në vit për shkak të nxjerrjes me tepri të ujit, por çmimet e pronave gjithkund tjetër në qytet po rriten me shpejtësi.

Unë fola me një njeri që po ndërtonte dyqanin e parë Ikea në vend, i cili beson se popullata e zonës metropolitane të Xhakartës prej 28 milionë banorë (qyteti i tretë më i madh në botë) do të ketë të ardhura të mjaftueshme për të bërë pazar në dyqanin e tij. Dhe ai shton: “Ne thjeshtë jemi të sigurt se kjo do të funksionojë”.

Në Turqi natyrisht, politika dhe kombinimi i besimit mysliman me një lloj dëshire për t’i bërë gjërat sipas stilit perëndimor është në vetvete një lloj sfide unike. Disa mund të argumentojnë se e njëjta sfidë ekziston për Indonezinë, por unë besoj se nuk është kështu. Në Xhakarta mënyra perëndimore e të bërit të gjërave duket së paku e pranueshme, gjë që nuk është e vërtetë me Turqinë.

Por a mundet që vendet MINT të bashkohen me dhjetë ekonomitë më të mëdha të botës? Unë mendoj se brenda 30 viteve të ardhshme kjo mund të ndodhë. Unë mendoj se do t’i vizitoj më shpesh këto vende për t’i vendosur ato në hartë, siç ndodhi me vendet BRIK 12 vjet më parë./GSH



Abonohu